Jordan Aviation hap linjë direkte nga Ammani drejt Tiranës
- ALB AERO
- 1 day ago
- 2 min read
Updated: 15 hours ago

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpriti sot fluturimin e parë çarter të kompanisë Jordan Aviation nga Ammani i Jordanisë, duke vendosur një lidhje të re direkte mes dy kryeqyteteve. Kjo linjë zgjeron lidhjet ajrore të Shqipërisë me Lindjen e Mesme dhe e forcon pozitën e saj si një destinacion në rritje për turizëm dhe bashkëpunim rajonal.
Avioni mbërriti në orën 08:00 të mëngjesit dhe u prit me një ceremoni tradicionale, ku mjetet e zjarrfikëses krijuan një hark uji mbi avionin – një simbol mikpritjeje në fluturimet e para. Pasagjerët u shërbyen me ëmbëlsira tradicionale shqiptare, ndërsa ekuipazhit iu dhuruan buqeta me lule.
Pranë avionit u mbajt një ceremoni simbolike e prerjes së shiritit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të aeroportit dhe kompanisë ajrore, të cilët pozuan për një foto përkujtimore me rastin e kësaj ngjarjeje.
“Kjo linjë është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes ekipeve tona,” – tha Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Ajo i përgjigjet kërkesës së rritur për më shumë mundësi udhëtimi dhe e konfirmon rolin e Tiranës si një nyje lidhëse midis Europës dhe Lindjes së Mesme.”

Ndërkohë, Hamzeh Alkhashman, zëvendësdrejtor financiar i Jordan Aviation, deklaroi:
“Hapja e kësaj linje është një hap i rëndësishëm për kompaninë tonë. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për udhëtarët nga Jordania, dhe ne synojmë të ndërtojmë një prani të qëndrueshme në këtë treg premtues.”
Aeroporti i Tiranës mban aktualisht rekordin për rritjen më të lartë të lidhjeve ajrore në rajon, sipas ACI Europe. Nëpërmjet partneriteteve strategjike dhe investimeve të vazhdueshme, TIA synon të zgjerojë më tej rrjetin e linjave ajrore dhe të përmirësojë përvojën e udhëtarëve.
© Tirana International Airport


Comments